Nr. 36, Datë 24.09.2020
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REKRUTIMIT TË HETUESVE TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i rregullores
1.Kjo Rregullore përcakton rregullat e procedurat përzgjedhjen dhe rekrutimin e Hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (më poshtë ‘BKH’), sipas detyrimeve që burojnë nga Ligji nr.95/2016 ”Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
2.Rregullorja “Për përcaktimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit” nuk përdoret për oficerët e institucioneve të tjera që do të punojnë si Shërbime të Policisë Gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Neni 2
Fazat e përzgjedhjes
1.Përcaktimi në këtë Rregullore i rregullave mbi procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për Hetues të BKH -së, si edhe mbi kriteret e vlerësimit, pikëzimit e të renditjes së kandidatëve, kanë për qëllim realizimin e kësaj procedure duke u bazuar në meritat e kandidatëve dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor.
2. Përzgjedhja dhe emërimi në detyrë do të kryhet në tetë (8) faza:
a) Shqyrtimi i aplikimeve fillestare;
b) Testi i arsyetimit logjik;
c) Testi fizik;
d) Testi i esesë;
e) Intervistimi;
f) Vizita mjekësore;
g) Kontrollet e sigurisë, deklarimi i pasurisë dhe i figurës, testi poligrafit;
h) Emërimi dhe trajnimi paraprak.
3. Çdo fazë përbëhet nga një sërë kriteresh që duhen plotësuar nga kandidati para se të kalojë në fazën tjetër.
4. Emërimi përfundimtar i kandidatit të sukseshëm, do të bëhet nga Drejtori i BKH –së, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (Neni 37(4)) i Ligjit për SPAK.
Radha e testeve, pikëzimi dhe përzgjedhja janë shpjeguar në Tabelën 2.1.
Neni 3.
Komisionet
Për të zhvilluar procesin e përzgjedhjes dhe për të bërë verifikimin e kushteve të sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit të hetuesve krijohen Komisioni i Përzgjedhjes dhe Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve, me përbërje si më poshtë :
1. Komisioni i Përzgjedhjes përbëhet nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, Kryetari dhe dy anëtarë.
2. Komisioni i Përzgjedhjes do të kryejë procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për të gjitha fazat me përjashtim të fazës së verifikimit dhe kontrollit të pasurisë dhe figurës .
3. Nëse një anëtar Komisioni ka konflikt interesi me kandidatin, anëtari i Komisionit duhet ta deklarojë këtë dhe t’i kërkojë Drejtuesit të BKH-së dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme përjashtimin nga Komisioni, për këtë rast.
4. Komisioni i Përzgjedhjes krijohet me urdhër të përbashkët të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorit të Prokurorisë së Posaçme.
5. Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve funksionon sipas parashikimeve të përcaktuara në nenin 6, pika 5 të Ligjit për SPAK-un.
Neni 4
Kriteret e Përzgjedhjes
1. Kriteret për përzgjedhjen e Hetuesve të BKH-së janë të përcaktuara në nenin 6 dhe nenin 38 të Ligjit për SPAK – përveç tyre kandidatët duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë:
a) Vërtetim zyrtar që vërteton vlerësimet për aftësitë e tij /saj profesionale, etike dhe integritetin moral;
b) Vërtetim zyrtar që vërteton se ndaj tij/asaj nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e aplikimit;
c) Një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit, që do të pohojë se kandidati nuk është palë ose përfaqësues ligjor në çështje që janë objekt hetimi nga BKH dhe Prokuroria e Posaçme si edhe nuk ka asnjë konflikt interesi, i cili do ta bënte të pamundur angazhimin e kandidatit në pozicionin e hetuesit.
KREU II
FAZAT E APLIKIMIT
Neni 5
Faza e aplikimit fillestar
1. Drejtori i BKH-së merr masat për publikimin e Shpalljes së Vendit të Punës, sipas Shtojcës A bashkëlidhur, ku fton të gjithë kandidatët për të aplikuar për pozicionin e Hetuesit të BKH-së.
2. Kandidati për pozicionin e Hetuesit të BKH-së duhet të plotësojë formularin e aplikimit të BKH-së në linkun që gjendet në website-in e BKH-së. Një kopje e formularit të aplikimit gjendet në Shtojcën B, bashkëlidhur.
3. Në formularin e kandidatit për BKH, duhet të plotësohet çdonjëra nga fushat e informacionit. Në qoftë se një fushë informacioni nuk është plotësuar ose është e palexueshme, ose është e pakuptueshme, formulari dhe aplikimi nuk do të pranohet dhe kandidati do të skualifikohet.
4. Në të njëtën mënyrë, në qoftë se aplikanti nuk plotëson kriteret minimale sipas Ligjit për SPAK, do të skualifikohet.
Neni 6
Formulari i aplikimit
1. Kandidati për hetues duhet të plotësoj aplikimin online në web të BKH-së, përfshirë një curriculum vitae elektronike dhe dokumentet mbështetëse, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivimin për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
2. Formulari i aplikimit do të shërbejë si mekanizmi fillestar i filtrimit. Ai i jep mundësinë Drejtorit të BKH-së që të identifikojë kandidatët që plotësojnë kriteret e mëposhtme, të përcaktuara në nenin 4:
a) Kanë aftësinë për të përdorur sistemin elektronik online;
b) Të plotësojnë të gjitha fushat në formularin e aplikimit;
c) Të japin përgjigje që janë kryesisht pa gabime drejtëshkrimore dhe gramatikore;
d) Shfaqin aftësinë për të artikuluar motivim të besueshëm e me vlerë për të aplikuar në BKH.
3. Të gjithë këta faktorë do të merren parasysh për të identifikuar kandidatët më të mirë gjatë kësaj faze fillestare filtrimi. Vetëm ata kandidatë që plotësojnë kriteret e mësipërme do të njoftohen për të vazhduar në fazën tjetër të procesit të aplikimit.
Nuk do të ketë proces apelimi për ata që janë skualifikuar. Formularët e aplikimit do të mbahen për një periudhë dy-vjeçare dhe do t’iu vihen në dispozicion vëzhguesve ndërkombëtarë ose audituesve të tjerë, si pjesë e procesit të sigurisë së cilësisë.
4. Drejtori i BKH-së duke u bazuar në një politikë veprimi ‘pozitive’ dhe pasi konsultohet me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Këshilltarët Ndërkombëtarë, vendos që të paktën një e treta e hetuesve të BKH të jenë femra. Për t’u siguruar që kjo politikë do të ndiqet me korrektësi, procesi i përzgjedhjes – që nga faza fillestare e aplikimit – duhet të ketë si qëllim që të identifikojë kandidatët më të mirë meshkuj dhe femra në dy grupe të veçanta.
5. BKH-ja do të përbëhet nga hetues që plotësojnë standartet më të larta të integritetit dhe të aftësive fizike dhe mendore dhe janë të vetëmotivuar. Për të arritur këtë qëllim, BKH – ja kërkon që çdo kandidat duhet të demonstrojë që ai ose ajo është aplikanti më i mirë, duke iu nënshtruar një sërë testesh dhe ekzminimesh.
6. Procesi i përzgjedhjes, që kryhet nga Komisioni i përcaktuar në nenin 3 të kësaj rregullore, ka si qëllim që t’i krijojë mundësinë Drejtuesit të Byros Kombëtare të Hetimit që të identifikojë kandidatët më të mirë. Objektivi është që të gjenden individë që janë të formuar në të gjitha aspektet, që demonstrojnë një kombinim pikash të forta në të katërta fushat: të aftë fizikisht, mendërisht, që shprehen mirë, mendojnë shpejt, bëjnë me krenari punën e tyre dhe mund të mësojnë shpejt.
Neni 7
Testi i arsyetimit logjik
1. Të gjithë ata aplikantë që plotësojnë kriteret në fazën e aplikimit fillestar do të njoftohen për të marrë pjesë në fazën tjetër, që është testi i arsyetimit logjik.
2. Kandidatët në lidhje me datën, kohën, dhe vendin ku do të kryhet testi i arsyetimit ligjor, do të lajmërohen me anë të e-mail, dhe do t’iu jepet një numër identiteti i kandidatit për BKH .
3. Kandidatët para se të hyjnë në sallë dhe para se t’iu caktohet një kompjuter, secili nga kandidatët duhet të kryej procesin e regjistrimit duke sjellë një kopje të printuar të njoftimit me e-mail dhe një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti).
4. Kandidatët gjatë zhvillimit të testit me shkrim, në ambientin ku zhvillohet testi, nuk mbajnë telefona celularë, pajisje elektronike, libra ose shënime. Nuk lejohet asnjë lloj komunikimi me kandidatêt e tjerë pasi ata kanë hyrë në ambientin ku zhvillohet testi. Mosrespektimi i këtyre rregullave dhe udhëzimeve të tjera të dhëna nga vëzhguesit do të rezultojnë në largimin e menjëhershëm të kandidatit dhe moskualifikimin e aplikimit të tij për në BKH.
5. Testi i Arsyetimit Logjik zgjat 1 orë dhe përbëhet nga 30 pyetje që janë hartuar për të vlerësuar aftësinë e kandidatit për të menduar në mënyrë kritike nën presion. Pyetjet kanë lidhje me arsyetimin induktiv dhe deduktiv, duke përdorur si pjesë tekstesh ashtu edhe informacion numerik. Qëllimi është që të përzgjidhen kandidatë që kanë nivelin më të lartë të aftësive mendore – çka është një aftësi shumë e rëndësishme për një hetues krimesh.
6. Minimumi i pikëve për skualifikim e kandidatëve është 12 pikë.
Neni 8
Testimi i aftësive fizike (TAF)
1. Bazuar në kushtet e Nenit 38(2)(d) Ligjit për SPAK, kandidati i sukseshëm për BKH duhe t’i nënshtrohet testimit të aftësive fizike (TAF) që mat forcën edhe rezistencën fizike. TAF-i mat forcën muskulare dhe rezistëncen (palosjet dhe pompat), fuqinë anaerobike (sprint 300m), dhe fuqinë aerobike (vrapim për 2.4 km), me maksimumi (5) minuta kohë çlodhje midis tyre.
2. Para se të marrin pjesë në këtë test, secili kandidat duhet të marrë Raportin Mjekësor nga Specialisti Kardiolog që vërteton që janë të aftë fizikisht për të marrë pjesë në këtë test pa rrezikuar për infarkt kardiak ose komplikacione kardiovaskulare që vërteton që personi është i aftë fizikisht për t’iu nënshtruar testeve dhe nuk ka probleme që e pengojnë që të mos marrë pjesë në ushtrime fizike të sforcuara.
3. Kandidatët ditën që do të zhvillohet testi i aftësive fizike do të vihen në dijeni për komponentët përbërës të TAF. TAF-i përbëhet nga (4) komponentë:
a) Numri maksimal i palosjeve në një minutë;
b) Sprint 300-metër në kohë;
c) Numër maksimal pompash në vazhdimësi (e pa matur me kohë); dhe
d) Vrap 2.4 km i matur me kohë.
4. Tabela më poshtë jep një sistem pikësh për çdo komponent. Vini re se disa rezultate shënohen si ‘Shkëlqyer – 4 pikë’ ose (SH), ‘Shumë Mirë – 3 pikë’ ose (SHM), ‘Mirë – 2 pikë ’ ose (M), ‘Mjaftueshëm – 1 pikë’ ose (MJ). Për të arritur pikë kaluese në TAF, kandidati i suksesshëm duhet të marrë të paktën ‘mjaftueshëm’ (MJ -1 pikë ) në çdo komponent. Totali i rezultatit të TAF për çdo kandidat do të jetë faktor në hartimin e listës së vlerësimit së aftësive dhe pikave të forta të çdo kandidati.
5. Në testin për palosje çdo aplikant do të jetë i shtrirë me pjesën e sipërme të shpatullave që prekin dyshemenë; duart prapa koke me gishtat e gërshetuar. Gjunjtë janë të përthyer në një kënd 90 gradë me shputat e këmbëve të vendosura rrafsh mbi dysheme (këmbët mbahen në vend nga një partner i cili vendos duart në llapën e këpucëve dhe gjunjtë mbi gishtat e kandidatit). Kandidati ngre pjesën e sipërme të trupit derisa fundi i qafës të jetë në një vijë me fundin e shpinës (shpina është pingul me dyshemenë); Kandidati më pas kthehet në pozicionin fillestar (dmth shpatullat duhen të prekin dyshemenë). Ky është një ushtrim i matur me kohë pa ndërprejre për një minutë.
6. Sprinti 300 metër do të kryhet në mënyrën e mëposhtme. Ky sprint duhet të kryhet në një pistë të përshtatshme, ovale apo të drejtë. Kandidatët do të fillojnë nga një pozicion më këmbë dhe do të vrapojnë për 300 metra. Sistemi i pikëzimit për testin e sprintit tregohet në tabelën 8.2.
7. Testi i pompave : Kandidatët fillojnë nga një pozicion i përkulur para (dmth duart mbi dysheme një deri dy pëllëmbë nga supet me bërrylat larg trupit, krahët plotësisht të hapur, dhe trupi drejt, me këmbët jo më shumë se 7cm larg njëra tjetrës dhe gishtat e këmbëve që prekin dyshemenë). Ndërkohë që krahët përkulen, trupi ulet drejt dyshemesë derisa parakrahët janë paralel me dyshemenë (vije e drejtë nga aksi qendror i bërrylit tek aksi qendror i shpatullës). Aplikantët përfundojnë ushtrimin pasi kthehen në pozicionin fillestar. Ky është një ushtrim me verprim të vazhdueshëm.
Sistemi i pikëzimit për testin e pompave jepet në Tabelën 8.3.
8. Vrapi 2.4 km: do të kryhet në një pistë ovale apo në një sipërfaqe tjetër të fortë të përshtatshme, dhe mbi tokë të sheshuar dhe të ngjeshur, pa pengesa apo bllokime e rreziqe të tjera qarkullimi. Sistemi i pikëzimit për vrapin 2.4 km, tregohet në Tabelën 8.4.
7. Minimumi i pikëve për kualifikimin e kandidatëve është 4 pikë.
Neni 9.
Testi i esesë me shkrim
1. Kandidatët që kalojnë në testin e esesë me shkrim do të njoftohen për të marrë pjesë në këtë fazë me anë të e-mail. Në e-mail do të jetë e përcaktuar data, koha, dhe vendi ku do të kryhet testi me shkrim, dhe do t’iu jepet një numër identiteti i aplikantit për BKH .
Përdorimi i numrave dhe jo emrave të aplikantëve në fletët e përgjigjeve do të sigurojë më shumë objektivitet dhe drejtësi.
2. Qëllimi i kësaj faze është që të identifikojë ata kandidatë që demonstrojnë nivel të lartë aftësisht për lexuar dhe shkruar, janë të aftë për të përdorur MS Word, kanë arsyetim logjik dhe aftësi për të artikuluar idetë e tyre me shkrim. Do të krijohet një ambient me kompjutera, që do të jenë të pajisur me MS Word dhe që do të jenë të lidhur më një server qendror. Të gjitha përgjigjet do të ruhen automatikisht në server gjatë testimit.
3. Para se hyjnë në sallë dhe para së t’iu caktohet një kompjuter, secili nga aplikantët duhet të plotësojë një proces regjistrimi duke sjellë një kopje të printuar të njoftimit me e-mail dhe një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti). Kandidatêt do të udhëzohen që në laboratorin kompjuterik nuk mund të marrin telefona celularë, pajisje elektronike, libra ose shënime. Nuk lejohet asnjë lloj komunikimi me kandidatêt e tjerë pasi ata kanë hyrë në laborator. Mosrespektimi i këtyre udhëzimeve dhe udhëzimeve të tjera të dhëna nga vëzhguesit do të rezultojnë në largimin e menjëhershëm nga testimi dhe në moskualifikimin e aplikimit të kandidatit për në BKH.
4. Testi do të zgjasë 1 orë dhe do t’iu kërkojë pjesëmarrsve që t’i përgjigjen një nga tri pyetjeve të eseve që kanë lidhje me punën e BKH-së (1 orë). Eseja ka maksimumi 30 pikë.
5. Minimumi i pikëve për kualifikimin e kandidatëve është 15 pikë.
Neni 10
Faza e Intervistës
1. Kandidatët për hetues të BKH – së , në përputhje me neni 38(2)ç) të Ligjit për SPAK, do të kalojnë në një intervistë, e cila “mat aftësitë në komunikim me gojë, dhe zotësinë e komunikimit të ideve në mënyrë efikase”.
2. Kandidatët që kanë kaluar fazat e mëparshme të procesit të përzgjedhjes do të ftohen të marrin pjesë në intervistën përzgjedhëse. Intervistat përzgjedhëse, aq sa është e mundur, duhet të kryhen në mënyrë të vazhdueshme gjatë disa ditëve. Intervistat do të kryhen nga Komisioni Përzgjedhës.
3. Kandidatët do të informohen me e-mail në lidhje me datën, kohën dhe vendin ku do të kryhen intervistat përzgjedhëse. Mosparaqitja në intervistë sipas kërkesave do të rezultojë në heqjen e kandidatit nga lisat e përzgjedhjes.
Në qoftë se shkaku i mosparaqitjes në intervistë është bindës, Drejtori i BKH mund të vendosë që të ftojë kandidatin për të intervistuar në një datë tjetër.
4. Qëllimi i kësaj faze të procesit të përzgjedhjes është të lejojë anëtarët e Komisionit të vlerësojnë kandidatin përkundrejt kritereve përzgjedhëse të specifikuara në përshkrimin e punës të BKH- së.
Komisioni Përzgjedhës duhet të bjerë dakort mbi grupin e pyetjeve nga një listë e cila është e aprovuar nga Drejtuesi i BKH-së.
5. Pyetjet duhet të kenë lidhje me pozicionin dhe nuk duhet të merren me çështje të papërshtatshme si mosha, aftësi të kufizuara, gjendja civile, përkatësitë politike/fetare, etj. Pyetjet kryesore, sa më shumë të jetë e mundur, duhet të bëhen njësoj për të gjithë kandidatët. Një gjë e tillë mundëson bazën për të krahasuar përgjigjet e kandidatëve të ndryshëm.
Anëtarët e Komisionit mund të përsërisin apo riformulojnë një pyetje nëse është e nevojshme, ose të bëjnë pyetje plotësuese për të ndihmuar panelin të qartësohet mbi përgjigjen e aplikantit.
Anëtarët e Komisionit duhet të shmangin pyetjet sugjestive (dmth ato pyetje që sugjerojnë një përgjigje të pritshme), pyetjet me shumë pjesë (dmth ato pyetje që kanë dy ose më shumë pjesë dalluese dhe secila prej tyre ka nevojë për përgjigje), dhe pyetjeve të gjata dhe komplekse. Është gjithashtu e rëndësishme të shmangen pyetjet ngatërruese dhe përdorimi i taktikave stresuese, pyetjet që kërkojnë për njohuri të cilët e kanë vetëm punonjës ekzistues të SPAK, dhe pyetjet rreth jetës private të aplikantit dhe përgjegjësive personale. Është thelbësore që të gjithë kandidatëve t’u jepet një shanc i barabartë të shpalosin aftësitë e tyre përpara Komisionit Përzgjedhës.
6. Në fund të intervistës, Kryetari i Komisionit duhet të pyesë nëse kandidati ka diçka për të shtuar apo nëse ka ndonjë pyetje. Kur kandidati është larguar nga salla, anëtarët e Komisionit duhet të diskutojnë performancën e tij/saj dhe të bien dakord mbi pikët, duke përdorur Formularin e Vlerësimit të Intervistës BKH (Shiko grafikun 10.1). Kandidatët mund të arrijnë një maksimum prej 30 pikësh në intervistë.
7. Minimumi i pikëve për kualifikim e kandidatëve gjatë intervistës është 15 pikë.
8. Pasi përfundon kjo Fazë, Komisioni i Përzgjedhjes përfundon procesin e përzgjedhjes duke llogaritur totalin e pikëve të marra nga secili kandidat. Në bazë të këtij rezultati akumulativ, Komisioni i Përzgjedhjes bën renditjen e kandidatëve sipas pikëve.
Kandidatët me pikët më të larta do të kalojnë në fazën e verifikimit të Kushteve të Sigurisë nga Komisioni i Posaçëm i Pasurisë dhe Figurës dhe në Procesin e Vetingut Leahy.
Neni 11
Kontrollet mjekësore
1. Secili nga kandidatët e përzgjedhur, do të kryejëë vizitat mjekësore. BKH kërkon që të gjithë hetuesit të jenë të aftë nga ana mjekësore për të ushtruar detyrat e tyre profesionale. Historia mjekësore e një aplikanti për BKH është konfidenciale dhe nuk do t’i jepet askujt që nuk është i autorizuar për të mbajtur këtë informacion.
2. Çdo kandidat duhet t’i nënshtrohet një kontrolli mjeksor dhe të paraqesë raportin mjekoligjor.
Raporti mjekoligjor duhet të dorëzohet nga kandidatët të cilët do të përzgjidhen për të kaluar në fazën e verifikimit të pasurisë dhe figurës .
3. Kandidatët do të dorëzojnë bashkë me raportin mjekoligjor dhe një dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike.
Abuzimi me drogën ose substanca të tjera përbën një kërcënim të drejtëpërdrejtë për efektivitetin operacional të BKH, sigurinë e personelit, dhe ndoshta edhe për sigurinë e publikut. Përdorimi i paligjshëm i drogave ose substancave nga personeli i BKH-së dëmton reputacionin dhe pozicionin e institucionit. Për të gjitha këto arsye, abuzimi me drogat dhe substancat nuk tolerohet në BKH.
4. Procesi i kontrollit mjekësor ka si qëllim që të përzgjedhë kandidatë të mundshëm për BKH-në që janë të shëndetshëm dhe nuk kanë probleme shëndetësore që i pengojnë që të shërbejnë në BKH.
5. Kandidati do kalojë në një test psikologjik, i cili realizohet nga psikologu i Prokurorisë së Posaçme, i cili do të vlerësojë nëse kandidati është i aftë për të punuar në BKH.
6. Në qoftë se zbulohet që kandidati ka fallsifikuar të dhënat mjekësore ai ose ajo do të hiqet nga lista dhe nuk do t’i jepet asnjë mundësi tjetër për t’u pranuar në BKH.
Neni 12
Testi i Poligrafit
1. Kandidatët do t’i nënshtrohen testit të Poligrafit rreth integritetit të tij, në përputhje me nenin 38/2/”e” të Ligjit për SPAK.
2. Testi i poligrafit do të kryhet nga ekzaminuesi i poligrafit i certifikuar, e vërtetuar kjo nga anëtarësimi në Shoqatën e Poligrafëve Amerikanë (APA – http://www.polygraph.org).
3. Testi i Poligrafit, informacioni në raportin e ekzaminuesit të poligrafit për intervistën dhe ekzaminimin do të mbyllet në një zarf, i cili do të hapet në fazën e verifikimit të pasurisë dhe figurës nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.
1. Testi i Poligrafit do të jetë pjesë e vlerësimit të kandidatit së bashku me verifikimin e pasurisë dhe figurës. Komisionit në vlerësimin e kandidatit do t’i referohet dhe rezultatit të Raportit të Testit të Poligrafit. Kur gjetjet e këtij të fundit përkojnë më të dhënat e mbledhura në përputhje me Nenin 6 të Ligjit, Komisioni e vlerëson si provë mbështetëse për të arritur përfundimin nëse kandidati ka ose jo integritetin e duhur.
Neni 13
Verifikimi i pasurisë dhe figurës.
2. Kandidatët që kanë kaluar fazat e testimit dhe janë përzgjedhur, sipas nenit 6(3) të Ligjit për SPAK, do të dorëzojnë deklaratat e kontrollit të pasurisë dhe deklaratën e vlerësimit të figurës, (sipas Shtojcës A, Shtojcat B2, B3 dhe Shtojcën C të Ligjit).
3. Verifikimet e pasurisë dhe figurës do të kryhen nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve, sipas parashikimeve në Nenin 6(6) të Ligjit.
4. Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve do të dorëzojë, brenda një periudhe maksimumi prej 120 ditësh, një raport të detajuar Drejtorit të BKH-së mbi “Ligjshmërinë e burimeve të pasurisë dhe pastërtisë së figurës”. Ky raport do të përbëjë një pjesë të dosjes personale të kandidatëve të sukseshëm, e mbajtur nga Drejtuesi i BKH- së.
Neni 14
Trajnimi dhe Emërimi
1. Kandidatët që kalojnë të gjitha fazat e testimeve dhe që kanë rezultuar të shëndetshëm nga kontrollet mjekësore e psikologjike do të njoftohen nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që janë përzgjedhur si hetues të BKH – së.
2. Trajnimi për hetuesit e BKH -së do të kryhet në përputhje me Kursin Bazë të Trajnimit (KBT), që aprovohet nga Drejtori i BKH-së me pëlqimin e Drejtuesit të PP. KBT duhet të hartohet në atë mënyrë që t’i japë mundësinë kandidatëve që të përfitojnë standartet profesionale bazë dhe nivelet e kompetencave të përcaktuara nga Drejtori i BKH-së. Gjatë kursit të trajnimit kandidatët do t’i nënshtrohen provimeve formale dhe vlerësimeve të performancës personale dhe matjes së njohurive. Vetëm pasi të jetë certifikuar si i trajnuar dhe kompetent, kandidati do të emërohet zyrtarisht si Hetues i BKH -së.