Siç parashikohet nga Kodi i Procedurës Penale, hetuesit tanë ofrojnë një sërë shërbimesh mbështetëse për Prokurorët e Posaçëm. Këto shërbime përfshijnë gamën e plotë të aftësive të Policisë Gjyqësore, mbledhjen dhe analizën e informacionit, si edhe mbikëqyrjen e fshehtë. Mbledhja e informacionit përbën bërthamën e gjithçkaje që bëjmë. Një tablo e saktë e informacionit na mundëson të ndihmojmë Prokurorët e Posaçëm që në mënyrë efektive tu japin përparësi veprimeve kundër rasteve më të rënda të korrupsionit dhe të japin goditjet maksimale shkatërruese krimit të organizuar të rëndë. Ne bashkëpunojmë ngushtësisht me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të identifikuar kërcënimet më të mëdha ndaj Shqipërisë, duke u dhënë përparësi dhe koordinuar operacionet e përbashkëta kur është e nevojshme. Kjo bën të mundur që informacioni që mbledhim të përdoret në maksimum brenda bashkësisë shqiptare të zbatimit të ligjit.
Ne bashkojmë informacionin e marrë nga një sërë burimesh, në mënyrë që të shfrytëzojmë në maksimum aftësitë tona për analizë dhe vlerësim informacioni. Tek këto burime përfshihen qytetarët, agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës, përgjimet teknike të telekomunikacionit, burimet e fshehta njerëzore të informacionit, partnerët e zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe jashtë saj, si dhe sigurisht informacioni i disponueshëm publikisht.
