Si mund të futesh në BKH?

Lajmërimet për vendet e punës për 60 hetues të BKH dhe për Drejtorin e BKH do të publikohen në këtë faqe interneti pas emërimit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, më vonë gjatë vitit 2019.
Personat e interesuar duhet të plotësojnë një formular aplikimi dhe të tregojnë që i përmbushin kriteret minimale të parashikuara në Ligjin për SPAK. Kriteret për aplikimin fillestar janë:
DREJTORI I BKH
Për tu kualifikuar për pozicionin e Drejtorit të BKH, kandidatët duhet të përmbushin të gjitha kërkesat dhe parakushtet ligjore të përgjithshme të renditura më poshtë:
Të kenë kryer nivelin e dytë të studimeve në drejtësi dhe të kenë marrë një diplomë të barazvlefshme me “Master Shkencor”, ose arsimin e lartë policor.

  • Të kenë përvojë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo i Policisë Gjyqësore, apo Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.Të kenë të paktën 5 vite përvojë pune me çështje korrupsioni, krimi të organizuar apo krimesh të rënda.
  • Nëse janë punonjës apo ish-punonjës të Policisë së Shtetit, kandidatët duhet të kenë të paktën 3 vite punë me gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”.
  • Nuk duhet të jenë nën hetim apo gjykim për një vepër penale dhe nuk duhet të jenë në kushtet e papranueshmërisë për një funksion publik sipas parashikimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Per garantimin e integritetit te personave qe zgjidhen, emerohen ose ushtrojne funksione publike”, ndryshuar, dhe duhet të firmosin formularin e Vetë-Deklarimit në përputhje me atë ligj.
  • Nuk duhet të kenë patur pozicione politike në administratën publike apo pozicione të tjera drejtuese në parti politike për të paktën 10 vitet e fundit përpara momentit të emërimit.
  • Të kenë marrë vlerësim maksimal për aftësitë profesionale, etikën dhe integritetin moral, nëse kanë qenë subjekt i proceseve të mëparshme të rivlerësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  • Nuk duhet të kenë marrë masa disiplinore “përjashtim nga puna” apo masa të tjera, të cilat, sipas ligjit, janë ende në fuqi në momentin e emërimit.
  • Nuk duhet të kenë qenë (tani apo në të kaluarën) bashkëpunëtorë, informatorë apo agjentë të ndonjë shërbimi informativ.
  • Nuk duhet të kenë qenë nga data 29 nëntor 1944 deri në 7 shkurt 1991 anëtarë apo kandidatë të Byrosë Politike, Komitetit Qendror, anëtarë të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryegjykatës të Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtarë të Këshillit të Ministrave, Kryetarë të Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës në degët e ish-Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorë apo të favorizuar të ish-Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, anëtarë të Komisionit Qendror të Internimeve dhe Dëbimeve, hetues, prokuror, gjykatës në procese politike, sinjalizues apo dëshmitar në ndjekje penale në procese të posaçme politike.
  • Kandidatët duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë deklarata mbi pasurinë dhe konfliktet e interesit tek Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konflikteve të Interesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  • Kandidatët duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë një Pyetësor Sigurie tek Autoriteti Kombëtar i Sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  • Kandidatët dhe familjarët e tyre duhet të nënshkruajnë një marrëveshje me anë të së cilës bien dakord që, nëse emërohet apo punësohet, telekomunikacionet e tyre do tu nënshtrohen monitorimit, dhe me anë të së cilës heqin dorë nga e drejta e tyre për privatësi në këtë komunikime.
  • Kandidatët do t’i nënshtrohen një programi trajnimi rigoroz dhe do të emërohen si Drejtor i BKH i kualifikuar vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses të gjitha aspektet e programit të trajnimit.

HETUES TË BKH
Kandidati për hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë këto kritere:
• Të ketë shtetësi shqiptare
• Të ketë kryer arsimin e lartë policor, juridik apo kontabilitet, apo arsim të lartë në fusha të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në një universitet shqiptar apo të huaj
• Të ketë më shumë se 1 vit përvojë pune në zbatimin e ligjit apo në një fushë tjetër që ka lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit
• Të ketë përmbushur me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Të gjithë aplikuesit për hetues të Byrosë Kombëtare të hetimit duhet të kalojnë me sukses të gjitha fazat e mëposhtme të përzgjedhjes:
• Të plotësojnë një aplikim online, përfshirë një CV në formë elektronike të shoqëruar me dokumente të tjera, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivin për tu punësuar në Byronë Kombëtare të Hetimit
• Një provim me shkrim dhe me gojë, ku përfshihen teste të nxënies, sjelljes dhe arsyetimit logjik
• Një provim i zgjeruar me shkrim, ku maten aftësitë e shkrimit të një raporti si dhe niveli gjuhësor
• Një intervistim nga një panel ku maten aftësitë e komunikimit me gojë si edhe aftësia për t’i komunikuar idetë me efiçencë
• Një testim i aftësive fizike që mat si forcën, ashtu edhe rezistencën fizike
• Një hetim i sigurisë së të kaluarës së personit, i cili duhet të konfirmojë se personi nuk ka dënime penale e nuk është shpallur fajtor në të shkuarën;
• Aplikuesi duhet të japë pëlqimin për t’ju nënshtruar një testi poligrafi në lidhje me integritetin. Informacioni në raportin e ekzaminuesit të poligrafit në lidhje me intervistën dhe testin do të merret parasysh gjatë procesit të emërimit dhe të ri-emërimit.